Stacionet një udhëtim arkitektonik

Ekspozita Stacionet Kjo ekspozitë, është një tentativë për të kthyer vëmendjen në një kapitull të pashkruar të historisë së arkitekturës shqiptare; në trashëgiminë e realizmit socialist. Duke hedhur vështrimin në një periudhë me aktivitet ndërtimor intensiv dhe duke vlerësuar të thyer tabunë e përballjes me historikun e zhvillimit të vendit gjatë komunizmit, synohet të evidentohen vlerat arkitektonike e ndërtimore të periudhës 1945 – 1990.

Ekspozita fokusohet në studimin e ndërtesave në shërbim të transportit në Shqipëri, si një tipologji arkitektonike, evoluimi i së cilës nuk është trajtuar më parë. Në këtë kategori përfshihen të gjitha llojet e transportit, duke filluar nga ai automobilistik, hekurudhor, detar e deri tek ai ajror. Këtyre ndërtesave u jemi referuar me termin ‘stacione’, ku, në aspektin arkitektonik, më të hasurat dhe më domethënëset janë stacionet hekurudhore që shpeshherë shërbenin edhe si stacione për autobusët ndërqytetës.

s Nisma është vijim i një projekti kërkimor që po zhvillon Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (UPT) në bashkëpunim me Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit (MZHU). Njohja, dokumentimi, evidentimi, dhe studimi i veprave arkitektonike, urbane dhe ndërtimore të realizuara gjatë regjimit totalitar, janë objektivat kryesorë të projektit që ka filluar në vitin 2014. Ky kërkim, është një studim tipologjik i arkitekturës dhe mbështetet mbi traditën e shkollës shqiptare, e cila, ende sot, formimin e bazon në eksplorimin e tipologjive ndërtimore dhe funksionale. Pas dy ekspozitave të mëparshme (‘Banesat e Parafabrikuara – Histori me Beton’, Prill 2015 dhe ‘Ndërtesa të bardha – Arkitektura e spitaleve’ 1945-1990, Dhjetor 2015), këtë radhë, vështrimi ndalet tek arkitektura e stacioneve.

  • mzhu-3
  • mzhu-6
  • mzhu-10
  • mzhu-11
  • mzhu-16
  • mzhu-30
  • mzhu-35
  • mzhu-48
  • mzhu-52
  • mzhu-54
  • mzhu-56
  • mzhu-60
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12

Megjithëse të projektuara në kushtet e shtrëngesave ideologjike, programatike e financiare, projektet e evidentuara në këtë ekspozitë paraqiten shpesh herë surprizuese. Kemi zgjedhur të trajtojmë procesin e projektimit, si çelësi kryesor që dekodifikon periudhën e kontekstin ku menduan, projektuan e ndërtuan arkitektët e urbanistët shqiptarë. Në këtë ekspozitë paraqiten projekte të spikatura në krijimtari dhe kërkim arkitektonik, të cilat përfaqësojnë përpjekjet për një arkitekturë të lirë dhe komunikuese. Ndër projektuesit kryesorë të stacioneve, veçohen Agim Shehu, Anton Lufi, Arben Meksi, Koço Çomi, Koço Miho, Mimoza Kroi etj.

Fragmentet nga arkitektura e stacioneve të paraqitura në këtë ekspozitë, janë pjesë e një mozaiku më të gjerë arkitektonik, social, kulturor dhe politik. Nëpërmjet dokumentimit dhe njohjes së copëzave të këtij mozaiku, synohet të plotësohet gradualisht tabloja e një realiteti të mjegulluar, herë nga harresa dhe herë nga refuzimi i një të kaluare mbi të cilën mbështeten dhe zhvillohen strukturat e sotme urbane. Vështrimi tipologjik i arkitekturës shqiptare, në periudhën 1945 – 1990, vjen si nismë për të njohur vetveten përmes arkitekturës dhe për të hedhur dritë mbi trashëgiminë e një periudhe me shumë hije.

Ky projekt u përgatit dhe u kurua nga:

Denada Veizaj, Gjergj Islami, Gjergj Thomai dhe Alban Hidri, Ana Pekmezi, Besard Basha, Idlir Sema, Rabina Ajdini

Me mbështetjen e:

Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Ministria e Zhvillimit Urban, Arkivi Qëndror Teknik i Ndërtimit, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Qendra Rinore Tiranë

Fillimi

Na ndiqni në Facebook për të rejat më të fundit
2017 © AQTN. All rights reserved.